Poetas Extranjeros · Luljeta Lleshanaku, en idioma original

Compartimos los poemas de Forrest Gander publicados en la edición papel del número 9 de La balandra, esta vez en el idioma original. Que los disfruten.

 

Me fatin e shkruar në fytyrë

Shoku im i bangës në shkollën fillore
kishte gishta blu, buzët blu dhe një vrimë të pariparueshme blu në zemër.
I shënuar me vdekje. I padukshëm. Ai vetëm ruante rrobat
i ulur mbi një gur, jashtë fushës së lojës,
asaj alkimie djerse dhe pluhuri.

I shënuari për të qenë mbret
është i ftohtë, i gatshëm për një rënie të lire,
i lindur parakohe nga një mitër e palumtur.

Gruaja flokëkuqe që pret përnatë burrin e pirë
do të vazhdojë ta presë kështu edhe njëqind vjet.
Nuk është faji i alkoolit. Ajo ka pritjen t’vulosur në fytyrë.
Dhe ai ndodhet krejt rastësisht në këtë akt
sa spektatori i rastit
që shiu e futi nga rruga në sallë.

Po kështu nuk është faji i luftës që i merr jetën djaloshit
me sy të trishtë. Ai ishte i prerë për listat e rekrutimit.
Melankolia është arsenali bazë i ushtrive.

Kurse ai që është vulosur me mbijetesë
do të vazhdojë të ushqehet me këlyshët e tij, si ariu polar,
pa e marrë kurrë vesh se moti është ngrohur.

Te gjithë të mbyllur si teoremat. Qielli i tyre
është një shtëpi e marrë me qera,
ku nuk mund të ngulësh as edhe një gozhdë më tepër.

Në pritje të një një urdhëri të dytë,
të cilin do ta injorojnë gjithsesi,
me krahët lidhur pas lopatave dhe veshët zënë më dyllë,
si njerëzit e Odiseut, në shtegun e sirenave.

 

Misteri i lutjeve

Në familjen time
lutjet bëheshin fshehtas
me zë të ulët, me një hundë të skuqur nën jorgan,
gati mërmëritje,
me një psherëtimë në fillim dhe fund
të hollë, e të pastër si një garzë.

Përreth shtëpisë,
kishte vetëm një palë shkallë për t‘u ngjitur
ato të drunjtat, të mbështetura gjithë vitin pas murit,
për riparimin e tjegullave në gusht para shirave.
Në vend të engjëjve,
hipnin e zbritnin burra
që vuanin nga shiatiku.

Ata luteshin duke u shikuar sy më sy me Të,
si në një marrëveshje kryezotësh
duke kërkuar një shtyrje afati.

Zot, me jep forcë!” e asgjë më shumë,
se ishin pasardhësit e Esaut,
të bekuar, me të vetmen gjë që mbeti prej Jakobit,
-shpatën.

Në shtëpinë time
lutja ishte një dobësi,
që nuk përflitej kurrë,
si të bërit dashuri.

Dhe njësoj
si të bërit dashuri
pasohej nga nata e frikshme e trupit.

 

Ata nxitojnë të vdesin

Ata po vdesin njëri pas tjetrit;
të hedhësh dhè mbi ta, u bë krejt e zakonshme
si t’i hedhësh kripën gjellës.

Janë të gjithë të një brezi, të afërmit e mi
ose më mirë të nje epoke,
e fëmijët e epokës janë si qentë e lidhur në një slitë,
në kërkim të arit:
duhet të vrapojnë, ose të rrëzohen njëherazi.

Epokat s’janë matematikë
Por, krëhëra, krëhëra që rrafshojnë çdo rebelim floku
pas një flirti të çmendur me veten.